lundi 16 novembre 2009

Kanuni është shumë interesant për lexim

*
2. Kanuni është shumë interesant për lexim


E kam botuar Kanunin në adresën http://www.kanuniilekedukagjinit.blogspot.com/ me qëllim që ta lexojnë sa më shumë shqiptarë. Leximi i këtij libri është shumë i mirë për shëndetin mental kombëtar.

Mund t’ju siguroj se është një vepër shumë interesante dhe gjithashtu argëtuese për lexim. Do t’i përjetoni të gjitha emocionet. Do të ndiheni intelektual, do të keni dëshirë të bëni hulumtime, do të qeshni, ndoshta do të qani, ndoshta do të hidhëroheni... Shkurt e shqip, pas leximit të Kanunit do ta ndieni veten sikur në momentin kur dilni nga një film i mjeshtrisë së përsosur.

Kanuni është një vepër e shkurtër prej 106 faqesh në botimin origjinal. Paraprihet nga parathënia e çmuar dhe shumë domethënëse (tupani bie për ata që kanë veshë !) e akamikut at Gjergj Fishta, për të cilin kam respektin më të madh. Ndahet në 12 libra, 24 seksione (krye), 199 nene dhe 1263 paragrafe (§.1263).

Mënyra më e mirë, sipas meje, për t’u orientuar gjatë leximit është t’i ndiqni paragrafet. Meqë unë e kam botuar të tërin në një faqe, nëse e nderpreni leximin, mund ta shënoni numrin e paragrafit dhe, kur të ktheheni, të vazhdoni aty ku e keni lënë.

Nëse e lexoni të tërin përnjehërë, duke i pushuar ngapak sytë ose për të menduar pak me gishtin tregues në ballë, nuk ju duhen më shumë se dy orë.

Këtu poshtë do t’ju jap disa citate të identifikuara me numrin e artikullit. Sicilit citat do t’ia shtoj një koment personal. Me komentin personal, nuk dua të mendoj për juve por qëllimi im është t’nxis që :

Së pari, ta lexoni edhe ju Kanunin
Së dyti, ta formuloni edhe ju komentin tuaj.



§.63. Tagri i Parbinis ( i dialit të parë).
d) Me kênë derë Vojvodet, djalit të parë të vllaut të parë i perket prîja,

Pika d) e paragrafit 63, ju shtyn të mendoni, të bëheni intelektual, kërkimtar. Doni të dini çka është Vojvoda. Bëni kërkime në Google. "Vojvodë" është një term me origjinë sllave që cilëson në radhë të parë një komandant të një krahine ushtarake. Është derivat i sllavishtes: Voj (ushtri) dhe Voda (udhëheqës). Pra, Vojvoda është udhëheqës ushtarak serb. Shesheli, i cili ndodhet në Hagë duke u gjykuar për krime lufte, e ka fituar titullin Vojvodë nga çetnikët serbë. Bëni pyetjen : Çka kërkon vojvoda në kushtetutën apo librin e shenjtë shqiptar ?



§.108. Baba edhè në mos pasët djelm, nuk mundet me u lânë bijave as tokë, as plâng, as shpi.

Kjo thënie i vë në kundërshtim me Kanunin, në radhë të parë gjysmën e shqiptarëve, do të thotë të gjitha femrat. Sot femra shqiptare di të mendojë me kokën e vet dhe nuk mund t’ia shesësh për interesante atë që nuk është në interesin e saj. Pastaj, më ketë thënie nuk pajtohen të gjithë ata që kanë logjikë, të gjithë ata që kanë nëna, të gjithë ata që kanë motra, të gjithë ata që kanë bija…Kush mbetet? Kush pajtohet me këtë ligj të kanunit? Jashtëtokësorët?



§.135. Thirre e, s't'u pergjegj kush, a rrî e prit, a nisu në pûnë tande.

Ky është një nga ligjet më demokratike të Kanunit: Të gjithë shqiptarët duhet ta duartrokasin. Do të thotë, po deshe bëje një gjë, po deshe mos e bëj. Po qe buzë liqenit, po deshe xhvishu e kërce në ujë, po deshe shiko pak valët dhe kthehu në shtëpi...



§.499. Kanûja e malevet nuk njef uhà me shtojca fitimesh (Fajde).

Ky ligj përkujton ligjin e librin e shenjtë që dominon shtetet arabe. Kam pasur disa kolegë në universitet në Amerikë nga ato shtete të cilët qaheshin se kjo dogmë i pengon të zhvillohen ekonomikisht. Unë nuk thoja asgjë... por, do të mund të qahesha edhe unë me Kanunin. Shpresoj se nuk e rrespekton kush Kanunin në ditët tona!


§.520. Gjuha âsht tulit e gjithshka bluen.

Pasi e kam lexuar këtë nen, e kam kuptuar pse të gjithë ...gënjejnë, arësye e pa arësyre, të rinjtë, pleqtë, stërpleqtë... A keni takuar ndonjëherë në jetë një shqiptar që nuk gënjen? Ah?


Shikoni mirë tani. As mos qeshni, as mos qani:

Këto sjellje duken si lojë, porsé kàn shkaktue vrasë të pergjegjme shi në trevezë.
§.660. Kafen e mêrr miku, mandej i zoti i shpis.
§.661. Duert në treveze i làn i zoti i shpis, mandej miku.
§.662. Goten e rakis e pin i zoti i shpis e të dyten miku,
§.663. Kashaten e nyjen miku, mandej i zoti i shpis.
§.664. Aj zot shpije, qi e njyete kashaten perpara mikut, late 500 grosh giobë.

A keni nevoje për komente apo nuk keni nevojë...për komente!? Ma merr mendja se duhet të dalë një shqiptare apo një shqiptar (që ka dëshirë e interes ta tërheqë vëmendjen para opinionit botëror) ta fusë Kanunin në librin Guinness si kushtetutën më të çuditshme në botë. Të fillojë gjakmarrja e të vazhdojë me gjenerata për arësye se nuk e filloi ai që duhet gotën e rakisë apo nuk e ngjeu ai që duhet kafshatën i pari!… Nuk pot them asgjë... Të gjitha pretekstet janë të mira për të filluar konflikti. Pse? Sepse konflikti shpiente në vrasje e vrasja në një vrasje tjetër. Pra çdo pagesë gjobës derës së…duhej të fillonte me një konflikt.

§.1258. Grueja e vêjë nuk mùnd të gatuej në darsem, as nuk mùnd të qesë ujë duervet, as raki, as me thye bukë, as me veshë e me iu afrue nuses.

Nuk e di se a pajtohni me mua por ky paragraf "ligji" duket më shumë bestytni sesa ligj. Në studimet universitare dhe pasuniversitare në administrim biznesi ka shumë lendë të drejtësisë. Kështu, kam qenë i detyruar të lexoj shumë ligje, i kam lexuar kushtetutat e të gjitha shteteve të botës. Askund në botë nuk quhen ligje as nuk kodifikohen si ligje disa gjëra, disa bestytni, disa… si në Kanunin tonë të dashur.

Shpresoj se ua kam dhenë sadopak shijen ta lexoni Kanunin. E kam përgatitur për juve. Ju përkujtoj adresën :

http://www.kanuniilekedukagjinit.blogspot.com/