jeudi 17 décembre 2009

Si duhej ta vrisja Ilirin sipas Kanunit

*
6. Si duhej ta vrisja Ilirin sipas Kanunit


Meqë i përkisja një familjeje e cila në bazë të Kanunit duhej të mirrte gjak për të larë nderin, duhej së paku të dija se si të veproja për të kryer detyrën time. Në të vërtetë, këtë ide sarkastike e kam formuluar shpesh në kokë dhe e kam diskutuar me bashkëshorten time Sofien.

Duke e lexuar Kanunin e gjeta kodifikimin e etapave të kryerjes së aktit “të ndershëm” të cilat po i vendos këtu me paragrafe ligjesh duke ua shtuar nga një koment lidhur me rastin tim personal. Të fillojmë:

§.837. Aj, qi dàn me dalë në pritë, do të mârrë bukë me vedi si edhè per simahorë.

Simahori është bashkëpunëtori apo ai që e ndihmon vrasësin në realizimin e nderit të Kanunit: vrasjen. A e shihni se si Kanuni (edhepse një libër i vogël) kodifikon hollësira që kode të tjera disa herë më të madha i lënë anash?

Personalisht, ky paragraf ligji më sugjeron të lë punën dhe gruan e të shkoj t’i dal në pritë, për ta vrarë, një fëmije të pafajshëm.

I mbyllur gjatë kohë, një ditë, Iliri do ta marrë guximin të dalë, i veshur me rrobat e një nga motrave të tij apo ndryshe. Unë i dal përpara, e paralajmëroj sipas Kanunit dhe e qëlloj në ballë. Çfarë vrasje e mirë! Krenohem me gjestin tim. Jam burrë i vërtetë i Malësisë.

Tani vjen etapa tjetër:

§.845. Dorërasi do të çojë me lypë besë.

Vetëm pak! Para se të çoj burrat e dheut për të kërkuar besë, nuk duhet harroj një gjest tjetër që parashihet në paragrafin që vijon:

§.846. Dorërasi, po muejt vetë me e sjllë marë te vramin, mire; perndryshej mbe kedo, qi të ndeshet, do t’i thotë qi të shkojë me e sjellë marë e armen me i a pshtetë tê kryet.

E vrava çunin për të nderuar Kanunin. Tani duhet ta kthej kufomën mbrarë. Shikoni si ka respekt kanuni ndaj të vdekurit! U bë kjo punë. U kthye kufoma mbarë.

Tani të kthehemi te besa. “Besa” si fjalë tingëllon bukur në shqip. Shumë emra vajzash quhen Besa. Shumë intelektualë shqiptarë e mburrin popullin e tyre me atë çka shpreh ajo fjalë. Sa keq që popujt tjerë nuk kanë një gjë të tillë! Sa keq që nuk e dinë se çka humbin! Madje ajo fjalë në gjuhët tjera shqippohet “besa” si në shqip sepse nuk mund të përkthehet në gjuhë tjera. Nuk ka ekivalent! Besa është ajo që na dallon në botë si popull.

Të shohim pra se çka thotë Kanuni në paragrafin 854 për këtë fjalë të shenjtë e autentike që na nderon aq shumë:

§.854. “Besa âsht nji vade lirije e sigurimi, qi shpija e të vramit i ep dorërasit e shpijarvet të tij, tuj mos i ndjekë per gjak perkohsîsht e mjé në vade të caktueme.”

(Në të vërtetë, pak para leximit të Kanunit, e kisha kuptuar më në thellësi kuptimin e fjalës “besë”. Kur iu mbush mendja xhaxhait të babait tim se djali i familjes së fqiut i kishte mbushur vjetët për t’u vrarë, e shqiptoi këtë fjalë të shenjtë të Kanunit. E gjeti një ndërhyrës të nivelit të tij dhe ia dërgoi në shtëpi çunit për t’i thënë se kishte një muaj besë. Pas një muaji, po të dilte nga shtëpia, do të vritej për gabimin që ka bërë gjyshi i tij. Kanuni i mundësonte xhaxhait të babait tim ta kishte në dorë jetën e tjetrit, ta lejonte të dilte apo ta detyronte të mbyllej. A e shihni se si u jep Kanuni fuqinë që e ka vetëm Zoti njerëzve si xhaxhai i babait tim?)

Pas këtij shpjegimi në kllapa po kthehem në radhën e ngjarjes. E vrava Ilirin, e ktheva mbarë, çova një burrë për besë, mora besë...

Vazhdoj ta ndjek recetën e Kanunit:

§.856. Shpija e të vramit, po i dha besë dorërasit, ky edhèpse e vrau, do të shkojë në mort e në gjâmë me percjellë të vramin deri në vorrim e me ndêjë per drekë. Kio besë ngjatë 24 orë.

E marr pushkën me të cilën e vrava Ilirin dhe shkoj në varrim. Pas varrimit qëndroj për drekë. Nuk kanë rëndësi dhimbjet e familjes. Rëndësi ka të ndiqen rregullat e Kaunit të shenjtë pa të cilin nuk mund të jemi shqiptarë. Këtë gjë e kupton nëna e Ilirit e cila e varros të birin. Duke më shikuar s’ka se si të mos thotë me vetë : “Vetëm të na rrojë Kanuni !”

Kam qenë shok shkollë me motrën e madhe të Ilirit. Ajo më përshëndet gjatë ceremonisë, ma prezanton burrin dhe fëmijët. E përkujtojmë kohën kur kemi qenë bashkë në një klasë. Më informon se Iliri ka qenë i ulur në të njëjtën bankë në të cilën ulesha unë. Po të mos e kisha vrarë, Iliri do të kishte mundur të ma rrëfejë vetë atë gjë…

Pas drekës, unë ik. Tani topi kalon në anën tjerër të fushës. Shikojeni paragrafin e Kanunit që vijon:

§.917. Gjaku s'hupë kurr.

Tani, kushërinjtë e Ilirit do të kthehen sepse është koha për të marrë gjak. Tani ata e kanë në dorë jetën a mashkujve të familjes tjetër, do të thotë të famijes sime. Si në rastin e plakut të familjes sime, këtë fuqi aq të madhe që ua ofron atyre Kanuni mund ta ketë vetëm Zoti.

Pasi që e kisha treguar këtë histori disa herë, shoqja ime më tha se e kisha përmendur edhe në endërr emrin e Ilirit dhe kisha bërtitur gjatë ankthit. Më tha gjithashtu se kjo histori më mundonte më shumë se që isha i vetëdijshëm se më mundonte. Vetëm sa nuk më tha se duhej të bëja një terapi. E torturova veten me mendime të tilla si:“Imagjinoni t’i thotë gruaja një malësori të bëjë terapi te psikologu se ka problem me vetëdijen! Kjo gjë nuk ka kuptim për një shqiptar. Shqiptari duhet ta ndjekë Kanunin dhe nuk duhet të ketë frikë se gabon!”

Fillova të mendoj seriozisht dhe u binda se ajo që më mundonte ishte me të vërtetë fajësia që ndjeja. E ndjeja veten fajtor pse nuk bëja diçka që fëmija i mbyllur të mund të shkonte në shkollë.

Një ditë mu mbush mendja dhe e kontaktova shoqen time të shkollës, motren e Ilirit që jeton në një qytet të Evropës Perëndimore. Në fillim ajo u shokua dhe gati sa ma mbylli telefonin në hundë. Unë e kisha paraparë një skenar të tillë dhe isha i përgatitur. Kërkova të flas me burrin e saj me të cilin arrita të dal i njohur përmes disa shokëve. Kështu e rregullova kontaktin. Ky gjest me hoqi gjysmën e fajësisë e cila më peshonte shumë rëndë.

Po atë ditë, Sofia ma dha një ide gjenie. Propozoi t’i blenim Ilirit së bashku një kompjuter dhe ta parapaguanim lidhjen në Internet për një vit. Pasi e tha këtë mendim shtoi duke buzëqeshur:
- Kështu Iliri do të jetojë ndërkohë jetën që e endërrojnë të gjithë çunat e Botës Perëndimore dhe demokratike. Të mos shkojë në shkollë dhe të lundrojë ditë e natë në Internet...!

Qetësia shpirtërore që më përshkoi trupin pas ndërmarrjes së gjestit tim pak më konkret kundër gjakmarrjes, mënyra se si e tha Sofia fjalinë e saj me humorin, zemërgjerësinë dhe humanizmin e saj…të gjitha së bashku se çmë nxitën një të qeshur! Kam qeshur disa minuta si budalla. Kam qeshur me lotë! Më duket se e kam kompensuar gjithë të qeshurën që nuk e kam bërë që nga deklarimi i gjakmarrjes nga familja ime.

Dhurata në fjalë u realizua. Kjo gjë më bëri të mundur të lidhesha me Ilirin përmes Internetit. Bisedoja me të rregullisht. Ndërsa, në anën tjetër, nuk flisja me askënd nga familja ime në shenjë proteste kundër psikologjisë skllavëruese të Kanunit me të cilën mashkujt e familjes sime e robëronin një familje fqinje të pambrojtur.

Pas disa muajve, ndodhi një vdekje me vend në familjen time. Ndodhi një vdekje siç duhej të ndodhte. Ndodhi një vdekje natyrale nga pleqëria që nuk la konflikt. Xhaxhai i babait tim vdiq. Atë ditë gjithë populli shqiptar u bë pak më i mirë, më human, më evropian, më demokratik. Të gjitha trojet shqiptare morën frymë pak më lirshëm.

Siç e kam përmendur që në fillim të shkrimeve të mia (në profil) kur jam prezantuar, babai im të cilit i erdhi radha të ishte burri më i vjetër i familjes së gjerë ka shkuar me dy policë, dy burra të rregullit, tek shtëpia e Ilirit dhe e ka mbyllur përghithmonë konfliktin e gjakmarrjes në mënyrë që çuni i pafajshëm, Iliri, të mund të shkojë në shkollë.

Gjesti i babait tim më bën optimist sa i përket çrrënjosjes së gjakmarrjes nga mentaliteti shqiptar. Dihet se gjakmarrja ka pushuar në Shqipëri për disa decenie gjatë diktaturës komuniste dhe ky fakt mund të na ndihmojë të konkludojmë se kjo është gjë e arritshme edhe në sitemin demokratik. Nuk jemi njerës aq të prapambetur në aspektin e vetëdijës që të bëjmë diçka njerëzore vetëm kur jemi nën presionin maksimal!

Në kohën e sotme, mendoj se njerëzit e shkolluar të familjes duhet të bëjnë presionin e nevojshëm mbi nxitësit e krimit, dhe t’i kallëzojnë ata. Gjithashtu, nuk duhet lejuar nën asnjë pretekst që ndërhyrësit jokompetentë të cilët e kanë gjakmarrjen si lëndë të parë të biznesit të tyre t’i dublojnë apo t’i zëvendësojnë atotoritetet kompetente shtetërore.

Për të vërtetuar saktësinë e citateve të Kanunit në këtë shkrim, shkoni në adressën : http://kanuniilekedukagjinit.blogspot.com Aty do ta gjeni botimin origjinnal të Kanunit me parathënien e At Gjergj Fishtës.