samedi 12 décembre 2009

Alergjia ime ndaj dasmës së Kanunit

*
5. Alergjia ime ndaj dasmës së Kanunit

E kam lënë familjen për të shkuar në Kanada sepse nuk doja të përfshihesha në gjakmarrje. Sapo u ktheva në Shqipëri nga studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u paraqit ky konflikt. Nuk desha të bija në të njëjtin nivel me xhaxhain e babait tim analfabet i cili referohej në Kanun, të cilin as që e kishte lexuar sepse s’dinte të lexonte. Nuk doja të mendoja as të sillesha si një analfabet sepse nuk kisha bërë studime universitare e pasuniversitare për atë punë. Kjo do të ishte humbje kohe, energjie dhe kthim me qindra vite mbrapa. Nuk desha t’i bija në qafë një familjeje krejtësiht të pafajshme dhe të kërcënoja me vdekje një çun të ri, ende fëmijë, krejtësisht të pafajshëm.

Kur analfabeti i familjes sime e përmendi Kanunin, unë e lexova atë libër me vëmendje. Pastaj për të përgatitur shkrimet e mia, siç mund ta merrni me mend, e kam lexuar disa herë.

Arrita në Montreal, në Kanada, dhe shkova te shoqja ime Sofia (Sophie Savard) me të cilën kisha studjuar e jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fillim, më shkoi mendja të kërkoja strehim politik. Madje e takova një përkthyes dhe e përktheva një video të një “ kuvendi burrash” ku flitej për gjakmarrjen. Në atë tubim mirrja pjesë. E pata inçizuar më një kamer të fshehtë të vendosur në një stilolaps sipas udhëzimeve të një mikut tim polic në Shqipëri.

Në kohën e inçizimit doja ta denoncoja në polici plakun i cili e nxiste dhunën kundër një të riu i cili sipas ligejve bashkohore ishte ende i mitur. Në të njëjtën kohë doja të kallëzoja ndërhyrësin si përçues të gjakmarrjes.

Shpejt e kuptova se nuk ishte lehtë. Në anën e atij që donte të mirrte gjak dolën në pah interesat që fshiheshin pas nderit. Plaku i familjes sime jipte shenja si kishte fantasmuar tërë jetën në shtëpinë dhe tokën e familjes “kundërshtare”. Përfitimet e ndërmjetësuesit që e mbante petkun e humanitarit ishin gjithashtu vështirë të fshiheshin. Ndërmjetësuesi shpresonte se edhe familja tjetër do ta dërgonte te familja ime dhe të përfitonte në këtë mënyrë nga paragrafi 967 i Kanunit.

§.967. Kpucët a opangat e shkuesit perbahen prej 500 groshësh.

I mata mirë punët dhe rash në përfundim se nëse doja të rregulloja konfliktin në mënyrë bashkohore do të bija në konflikt me ata që kishin interes ta rregullonin atë në mënyrë mesjetare. Isha në konflikt me përfituesit. Pikë!

Nuk kam asgjë kundër fitimit sepse kam studjuar në administrim biznesi. Por nuk doja asnjë përfitim nga biznesi i gjakmarjes. Nuk fitohen të hollat në këtë mënyrë! Gjithçka që fshihej prapa nderit ishte ekstorcioni (marrje me dhunë, grabitje) dhe trafikimi me qënie njerëzore.

I pafuqishëm ta bëja denoncimin apo kallëzimin e lash vendin. Videon për të cilën fola e mora me vete me qëllim që ta paraqisja tek autoritetet e azilit politik.

Kur arrita në Montreal, Sofia më propozoi që të martoheshim duke më informuar se babai i saj mund t’më gjente një punë. Në këtë mënyrë nuk kisha nevojë t’i nënshtohesha gjithë procedurës për të rregulluar qëndrimin si refugjat e cila mund të zgjaste me vite.

U vendos nëmes nesh të martoheshim. Deri këtu gjithçka dukej bukur. Mirëpo kur u fol për martesë, u fol edhe për dasmë. Si u fol për dasmë, menjëherë m’u zgjua alergjia. E ndjeva në organizëm gjithë të keqen që i ka bërë me shekuj ajo praktikë budallaqe popullit tim. Në njërën anë, dasma e ka varfëruar familjen me paramendim. Në anën tjetër, përmes dasmës është nxitur krimi me paramendim. Vetëm kuptimi i fjalës “dasmë.” edhe i shqiptuar në anglisht apo në frëngjisht m’i çonte të vjellat.

I thashë Sofies: - “Nuk bëj dasmë, do të paraqitem refugjat politik!”

Ajo menjëherë mendoi në harxhimet dhe më përkujtoi se kishte studjuar si unë në ekonomi dhe nuk ishte aq budallaqe të futej në borxh për një dasmë as të harxhonte tepricën, po të kishim tepricë.

Mirëpo, alergjia ime ndaj dasmës i kishte rrënjët thëllë. Së pari, e keqja që i ka bërë ajo popullit shqiptar në aspektin ekonomik mund të konstatohet në paragrafin 45 të Kanunit:


§. 45. Per darsem do të gatohen:

a) Kau i darsmes do të qesë 100 okë mish e vjamë;
b) Nji barrë miell kallamoqit;
c) 4 babune grunë – miell grunit;
d) 12 okë sheqer;
e) 8 okë oriz;
f) 4 okë mjalët;
g) 10 okë djathë
h) 2 okë tlyen;
i) 3 okë voj të butë;
j) 70 okë raki.

Këtu paraqes vetëm një pjesë të harxhimeve të detyruara me ligj. Gjatë leximit të Kanunit mund të konstatoni shumë harxhime tjera. Mund ta merrni me mend se sa origjinale, argëtuese, apo artistike-krijuese mund të ketë qenë dasma tradicionale shqiptare kur çdo gjë është e paraparë me ligj. Edhepse një libër i vogël, Kanuni shpjegon hollësira të çuditshme për rregullimin e raporteve shoqërore!

Së dyti, dhe më së shumëti, më pengonte paragrafi 49. Piaka b) aty ku shtihet me pushkë. Ligjet normale të shoqërive normale e parandalojnë krimin. Kanuni e bën të kundërtën. Përveç varfërimit, shikoni se si e favorizon Kanuni konfliktin dhe krimin:

§. 49.Rendi kur do të shkohet në darsem.
a) T’ejten shkojn bijat e nipat;
b) Të Premten mbrama shkojn Thirrca, Strufulleca, Magjatore, Ujatore, Deshtarët, e Krushqit miq. Deshtarët, të mrrijmit n’oborr të dhandrrit, do të qesin ka’i pushkë per krye.
c) Të Shtunden nadje shkojnë Krushqit shokë. Të Shtunden, si të nisen Krushqit, do të therret gjengji i darsmes.

Kjo më kujtoi zanafilën e konflktit të familjes sime. Para shumë vitesh, një i ftuar në dasmë (nuk e di se a ka qenë deshtar apo jo) ka shtënë me pushkë dhe e ka plagosur një anëtar të familjes sime i cili ka vdekur më vonë nga ajo plagë.

Vrasësi edhepse e ka bërë vrasjen pa dashje ka qenë i dënuar nga pushteti i atëherhëm. Dëshmitarët e kanë raportuar një konflikt të vjetër ndërmjet vrasësist dhe të vrarit para aksidentit në dasmë.

Kjo gjë më duket e palogjikshme dhe absurde : Pse anëtarët e familjes sime e kanë ftuar në dasmë atë që ka shtënë me pushkë kur paskan pasur zënkë me të përpara?

Vrasësi ka vdekur në burg duke e lënë një djalë. Te afërmit e vrasësit - xhaxhallarët e kushërinjtë e parë - janë shpërnguluar ose kanë dalë jashtë vendit gradualisht, ndoshta për të evituar gjakmarrjen. Erdhi komunizmi dhe u bë vështirë për familjen time të kërcënojë të birin e vrasësit. Në kohën e demokracisë, i biri i vrasësit vdiq, duke i lënë tri vajza dhe një djalë të posalindur që quhet Ilir. Iliri është nipi, do të thotë i biri i të birit të vrasësit.

Kam qenë në shkollë me vajzën e madhe të familjes, me motrën e madhe të Ilirit. Gjithashtu e kam parë edhe Ilirin fëmijë. Në atë kohë, kurrë nuk më ka shkuar mendja se demokracia po e priste në shteg për ta vrarë. Kurrë nuk më ka shkuar mendja se një anëtar i familjes sime ishte duke përgatitur me vite të tëra një krim me paramendim nën pretekstin e Kanunit.

Mu kur u ktheva në Shqipëri nga studimet, xhaxhai i babait tim e mori vendimin ta fillonte gjakmarrjen. E zgjodhi një plak tjetër (një analfabet të rangut të tij, kuptohet) dhe e çoi te Iliri për t’i dhënë besë një muaj. Çfarë zemërgjerësie! - thashë me vete. Këtu e kuptova kuptimin e vërtetë të fjalës “besë”. Deri atëherë, ajo fjalë me dukej e bukur.

Pas një muaji, Iliri qe i detyruar të linte shkollën dhe të mbyllej sepse kërcenohej me vdekje.

Kur ia tregova Sofies këtë rast, ajo më kërkoi falje që insistoi për dasmën dhe më siguroi se kurrë më nuk do ta përmendte para meje fjalën “dasmë” në asnjë gjuhë.

Të nesërmen shkuam te prindërit e saj. I ati i informuar për situatën më tha : “Sa mirë që nuk do ta bëni atë tollovinë, ate festën e martesës! Unë mendoj se ajo ceremoni nuk është fare e nevojshme që çifti të jetë i lumtur.”

Më vonë, pa i thënë askujt, Sofia dhe unë shkuam dhe u martuam. Sofia kishte si dëshmitare një kolege të punës ndërsa unë e kisha dëshmitar bashkatdhetarin i cili ma kishte përkthyer në frëngjisht videon e kuvendit të burrave.

Pas formaliteteve, meqë ishte koha e drekës shkuam të gjithë së bashku në një qendër tregtare ku kishte restaurante me ushqime të shpejta apo “fast food” siç thuhet në anglisht. Mua nuk më hiqej nga mendja Iliri i mbyllur në Shqipëri. E ndjeja veten keq se ishte i kërcënuar padrejtësisht nga familja ime. Gjatë tërë drekës fola për të.

Dëshmitari im më tregoi një poezi me titull “Ku është Iliri ?” që e kishte shkruar për çunin e pafajshëm i cili nuk mund të shkonte në shkollë. Ato vargje i kam dëgjuar më vonë të kënduara në YouTube.

Disa muaj pas martesës, Sofia dhe unë shkuam së bashku në immigracion të ftuar në takimin e finalizimit të statusit tim. Kur e pa oficerja se kishim studjuar së bashku në Amerike as që na pyeti se a kishim bërë dasmë apo jo.

Kështu ajo ceremonia badallake e martesës (e kodifikuar në Kanun, që i ka varfëruar celulat e reja familjare shqiptare që në formimin e tyre dhe ka qënë rast filimesht të konflikteve të pafund) nuk qe fare e novojshme për neve si çift.

Për të vërtetuar saktësinë e citateve të Kanunit në këtë shkrim, shkoni në adressën :

http://kanuniilekedukagjinit.blogspot.com