mercredi 18 novembre 2009

“Prilli i thyer” në frëngjisht: Një gabim përkthimi ose pikpamjeje?

*
3. "Prilli i thyer" në frëngjisht: Një gabim përkthimi ose pikpamjeje?

Nusja ime, Sophie Savard-Uka, i ka në bibliotekë dhe i ka lexuar të gjitha librat e Ismail Kadaresë të cilat janë të përkthyera në frëngjisht. Para ca ditësh, më foli për mikpritjen shqiptare duke e quajtur atë si tipar pozitif mbarëjerëzor i cili futet në kategorinë e zemërgjerësisë dhe të lëmoshës… së moralit të ndonjë feje…

Unë i thashë duke qeshur se po qe në Kanun (e dija se ishte në Kanun!) fenomeni i mikpriktjes nuk mund të jetë pozitiv as për shqiptarët as për njerëzimin.

Sofia u ngrit dhe e mori në raftin e sallonit romanin “Prilli i thyer” të përkthyer në frëngjisht nga Jusuf Vrioni (Avril Brisé, Fayard,1982.) Filloi ta shfletonjë dhe u ndal në faqen 86. E preku citatin: « La maison de l’Albanais est la demeure de Dieu et de l’hôte. »

Menjëherë e kuptova se përkthimi ishte i shtrembëruar: Thuhej disi: « Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e të zotit. » Thënë kështu, shprehja duket qesharake në shqip. Fjala frënge « hôte » e ka kuptimin « mikpritës », « dikush që pret njërëz në shtëpi ». Pra përkthimi e ka afërsisht kuptimin që vijon: « Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikpritësit.»

Ta shohim tani ku është problemi. Sa i përket Zotit, nëse shtëpia e shqiptarit është e Zotit, edhe shtëpia e francezit, amerikanit, gjermanit…është e Zotit…edhe gjethet janë të Zotit, edhe qimet janë të Zotit edhe qelizat janë të zotit...

Problemi këtu nuk është te Zoti por te miku. Mendoj se nuk ka gjë të keqe të jetë njeriu mikpritës kur nuk i prishet rehatija dhe konforti në shtëpi, kur vizita bëhet me paramendim, planifikim e pëlqim të shtëpiakut. Fundi i fundit, njeriu është qënie shoqërore, ka nevojë të shkojë në vizitë dhe të presë.

Por, në Kanun, miku dhe mikpritja kanë një dimension të veçantë. Në paragrafin 602 të Kanunit thuhet : "Shpija e Shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut".

Nuk e vë në dyshim këtu përkthimin e Jusuf Vrionit por jam i bindur se stafi botues e ka modifikuar atë fjali sepse në kuptimin që ka ai "ligj" në shqip, nuk ka asnjë kuptim në frëngjisht. Në të kundërtën një pohim i tillë do të ishte joligjor në frëngjisht. Në një shoqëri të civilizuar, shtëpia është një hapsirë padhunueshme dhe u përket atyre që jetojnë në të. Ata që jetojnë aty mund të çlodhen, të shijojnë lumturinë familjare, intimitetitn e tjera.

Sipas këtij citati të Kanunit, shtëpia i përket të huajit. Jam i bindur se ky ligj apo kjo traditë ka krijuar një psikologji shumë të çoroditur në shoqërinë shqiptare siç është mosrespekti i pasurisë dhe jetës së tjetrit. Fatkeqësisht, nuk është i vetmi ligj në Kanun i këtij lloji.

Si në të gjitha shkrimet tjera të shkurtëra, edhe kësaj here, ju ftoj ta vërtetoni paragrafin 602 të Kanunit në adresën : http://www.kanuniilekedukagjinit.blogspot.com/ .